Gjukanoviq: Formimi i qeverisë së pakicës, opsioni më realist
“Nëse nuk ka marrëveshje për qeveri të pakicës, me mund të rikthejmë disa prej zgjidhjeve të mundshme: e para është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dhe nëse nuk ka zgjidhje, atëherë ne definitivisht do të hynim në skenarin e formimit të një qeverie kalimtare teknike. Kjo qeveri do të kishte vetëm një detyrë – të përditësojë legjislacionin për zgjedhjet sa më shpejt që të jetë e mundur, që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Gjukanoviq për gazetarët në Bruksel.
Idenë e qeverisë së pakicës po e shtyn përpara kreu i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, ndërkaq krijimin e një qeverie teknike po e kërkon partia pro-serbe, Fronti Demokratik.
Por, presidenti i Malit të Zi tha se beson se në çdo variant, qeveria e ardhshme do të jetë qeveri e vazhdimit të kursit politik dhe strategjik që shteti ka pasur në 25 vjetët e fundit.
“As ky eksperiment njëvjeçar nuk vuri në pikëpyetje orientimin strategjik të Malit të Zi”, tha Gjukanoviq.
Gjukanoviq e quajti eksperiment Qeverinë e ish-kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, që u shkarkua nga Kuvendi në fillim të shkrutit.
Krivokapiq u zgjodh në krye të ekzekutivit pas fitores në zgjedhjet e 30 gushtit të vitit 2020 dhe formoi Qeverinë më 4 dhjetor të po atij viti.
Abazoviq e ka përjashtuar mundësinë që Partia Demokratike e Socialistëve – partia e Gjukanoviqit – dhe Fronti Demokratik të jenë pjesë e një qeverie teknike.