Rakiq: Dhjetë milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të komunave
![Rakiq: Dhjetë milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të komunave](https://gdb.rferl.org/01A9B7A1-1E2A-4E62-AB58-0DF5DC7FECF5_w800_h450.jpg)
Qeveria e Kosovës do të ndajë 10 milionë euro për të mbështetur komunat në rimëkëmbjen ekonomike. Lajmin e bëri të ditur ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, gjatë një takimi të përbashkët të zyrtarëve qeveritarë dhe kryetarëve të komunave.
“10 milionë euro do të ndahen për komunat për të menaxhuar situatën e krijuar nga pandemia COVID 19, si dhe 29 milionë euro për të mbështetur komunat. Për më tepër, në përputhje me kërkesën e Zyrës së kryeministrit, Ministria ka përgatitur propozime për një plan investimesh në projektet e infrastrukturës në nivelin lokal për periudhën pesëvjeçare 2021-2025, në vlerë prej 58.388.098 euro ”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Pushtetit Lokal në Kosovë.
Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike është proceduar nga Qeveria e Kosovës më 22 korrik dhe synohet që përmes politikave fiskale dhe monetare të ndihmohen bizneset, rrjedhimisht edhe ekonomia e përgjithshme e vendit.
Por, i njëjti nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Zyrtarët të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se do të kërkojnë sërish votën e deputetëve për miratimin e këtij projektligji.
Pakoja për rimëkëmbje ekonomike kap vlerën e 385 milionë eurove.