Zemaj: Situata epidemiologjike vazhdon të jetë e qetë
![Zemaj: Situata epidemiologjike vazhdon të jetë e qetë](https://gdb.rferl.org/633003CC-BBC1-4AD2-B3B7-BF696EFA6BC3_w800_h450.jpg)
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se të dielën nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes së pacientëve nga COVID-19.
Ai, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se 56 persona kanë rezultuar pozitivë, ndërsa 69 e kanë fituar betejën.
“Situata epidemiologjike po vazhdon të jetë më e qetë se gjatë shtatorit. Pres që angazhimi kundër virusit COVID-19, të mos e ulë përkushtimin në sistemin e tërësishëm shëndetësorë”, tha Zemaj.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se numri total i rasteve pozitive është 15.814 raste nga 70.219 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 630 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 69 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.856 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.328.