Izraeli vret dy udhëheqës të Xhihadit Islamik
Xhihadi Islamik lufton përkrahë Hamasit – grupit tjetër palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – kundër Izraelit në Rripin e Gazës.
Xhihadi Islamik tha se Abdel Aziz Minawi dhe Rasmi Yusuf Abu Issa u vranë së bashku “me kuadro të tjerë të grupit” gjatë sulmeve të së enjtes që goditën zyrat dhe banesat e tyre.
Agjencia e lajmeve AFP, duke u thirrur në burime, tha se në sulme janë vrarë dy udhëheqësit dhe një anëtar tjetër i grupit. Sulmet u kryen në Kudsaja, në zonën e Damaskut.
Minawi, i lindur më 1945, sipas grupit, ishte “një udhëheqës i shquar”, ndërkaq Abu Issa, i lindur më 1972, u përshkrua si “kreu i raporteve arabe” të Xhihadit Islamik, grup që u zotua se vrasja e tyre vetëm “do të rrisë vendosmërinë tonë për të vazhduar qëndresën” kundër Izraelit.
Autoritetet izraelite, që rrallë komentojnë për sulme të veçanta në Siri, morën përgjegjësinë për sulmin e së enjtes kundër Xhihadit Islamik.
Grupi që monitoron luftën në Siri, Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, tha se sulmet e së enjtes të Izraelit në dhe përreth Damaskut lanë të vrarë 23 persona.
Sipas monitoruesit, 13 prej viktimave ishin civilë dhe luftëtarë të mbështetur nga Irani.
Në një sulm tjetër në periferi të Damaskut, sipas Vëzhguesit, u vranë edhe 10 militantë të Xhihadit Islamik.
Ndërkaq, media shtetërore siriane raportoi se të premten, Izraeli ka kryer sulme në qarkun Mazeh.
Sulmet izraelite në Siri janë intensifikuar, përfshirë ato në zonat afër kufirit me Libanin, që kryesisht kanë në cak Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Xhihadi Islamik ende mban disa pengje izraelite, që u morën më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, sulm që nxiti luftën në Rripin e Gazës.