Vritet një polic i Kosovës në Kaçanik
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë në orët e vona të së martës së 1 prillit, në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ai ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, rreth orës 23:00.
Polici i ndjerë, i cili është identifikuar si Muhamed Lika, ishte transportuar për në Qendrën e Mjekësisë, në Kaçanik, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të pësuara.
Rrethanat e ngjarjes, tash për tash, janë të panjohura, ka njoftuar Policia e Kosovës. Autoritetet kanë nisur hetimet për rastin.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar vrasjen e policit, duke thënë se "ky akt i rëndë është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë publike, ligjit dhe vetë shtetit të Kosovës".
"Çdo sulm ndaj një zyrtari policor është sulm ndaj Republikës së Kosovës! Policia e Kosovës është shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend. Prekja e saj është përpjekje për të minuar themelet e shtetit tonë dhe nuk do të tolerohet", thuhet në reagimin e SPK-së.
Ditëve të fundit, numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje. Në fund të marsit u regjistruan katër vrasje.
Më 23 mars, një 19-vjeçar u vra në Vushtrri nga një bashkëmoshatar i tij. Po në Vushtrri, një ditë më vonë një burrë vrau një grua 42-vjeçare. Dorasi, 58 vjeç, më pas vrau veten.
Ndërkaq, mbrëmjen e 25 marsit, një burrë u vra në Prishtinë, ndërkaq një tjetër mbeti i plagosur, pasi, sipas Policisë, ata u sulmuan nga dy persona të maskuar dhe të armatosur.
Autoritetet e vendit kanë kërkuar veprime të menjëhershme për adresimin e rasteve të vrasjeve.