Bahamet e njohin Kosovën
Bahamet, vend në Karaibe, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të premten, njoftoi presidentja Vjosa Osmani.
Në një njoftim në Facebook, Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamet u arrit në kryeqytetin e këtij vedi, Nasau.
“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkroi Osmani.
Bahamet janë bërë tani shteti i 121-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.
Marrëveshja për njohjen e Kosovës nga vendi ishullor i Oqeanit Atlantik dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahameve, Philip Davis.
Në një deklaratë të përbashkët, Kosova dhe Bahamet thanë se janë të përkushtuara ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Ato u pajtuan për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
“Bahamet dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv”, thuhet në komunikatë.
Më vonë në një konferencë për shtyp, kryeministri Davis tha se Kosova mund të mbështetet tek Bahamet si partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm.
“Ky është, pa asnjë dyshim, një moment historik për të dyja vendet tona dhe popujt tanë”, tha Davis.
“Nuk ka dyshim se ky është fillimi i një marrëdhënie që ne do të synojmë ta forcojmë. Ka shumë fusha ku ne mund të zhvillojmë bashkëpunim, posaçërisht në një botë ku ka sfida gjeopolitike, të cilat në prekin që të gjithëve”, shtoi ai.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi vitin 2025 si “viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë”, teksa shprehu mirënjohje “të veçantë” për presidenten Osmani.
“Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahameve”, shtoi ai.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, i falënderoi Osmanin dhe ministrin e Jashtëm të Bahameve, Frederick A. Mitchell, për punën e tyre në arritjen e marrëveshjes.
“Kosova e forcon çdo ditë subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe sovranitetin shtetëror, me punë, dinjitet dhe aleanca të qëndrueshme”, shkroi Gërvalla në Facebook pas njoftimit të presidentes.
Sa shtete e njohin Kosovën?Njohja nga Bahamet është e katërta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, si dhe Siria nga Lindja e Mesme e njohën atë.
Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.
Këto njohje rishtazi e kanë zemëruar Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e Kosovës, pasi vazhdon ta cilësojë atë si pjesë të veten.