Dy persona gjenden të vdekur në një vilë në Pejë
Dy persona, një burrë dhe një grua, janë gjetur pa shenja jete në një vilë në Pejë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Policia dhe Prokuroria në këtë komunë.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:10, tha zëdhënësi i këtij institucioni në Pejë, Fadil Gashi.
"Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, u shpreh ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendngjarje ka dalë prokurorja për krime të rënda dhe kryeprokurori, ndërkaq trupat e pajetë do të tërhiqen nga vendi i ngjarjes për t’iu nënshtruar autopsisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e vdekjes.
“Lidhur me këtë çështje janë siguruar prova në vendin e ngjarjes të cilat do të shërbejnë për veprimet e mëtejme. Janë identifikuar dëshmitarët, të cilët mund të intervistohen për të kuptuar më shumë informata rreth ngjarjes”, u shpreh ai.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se viktimat ishin në të 20-tat. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë ndarë me publikun detaje të tjera për këtë ngjarje.