Policia me aksion në veri kundër lojërave të fatit
Policia e Kosovës ka kryer aksion në Zubin Potok më 15 janar, duke bastisur tri lokale ku dyshohet se janë organizuar skema piramidale dhe të bixhozit.
“Në të tri lokacionet janë hasur pajisje teknologjike të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave të fatit si dhe janë pesë të dyshuar, ku tre prej tyre janë duke u intervistuar, kurse dy të tjerë nuk janë hasur aty, por janë të njohur për Policinë, ndërsa janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për Veriun.
Zubin Potoku, ku u krye aksioni, është një nga katër komunat në veri të Kosovës, ku shumica e popullatës janë serbë.
Nga Policia po ashtu njoftuan se prokurori kujdestar ka udhëzuar që të iniciohen tre raste për veprën penale të “Organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sipas nenit 294 të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që me qëllim të pasurimit për vete apo të një personi tjetër, organizon, merr pjesë apo ndihmon në organizimin e skemave piramidale mund të dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Dënim nga dy deri në dymbëdhjetë vjet burgim parashihet në rastet kur përmes lojërave të fatit një person ka fitim ose humb një shumë prej 25 mijë eurosh.
Në Kosovë, përmes një ligji të miratuar më 2019, u ndaluan dhe u mbyllën të gjitha lokalet që organizonin lojëra të fatit.
*Video nga arkivi: Si lulëzojnë jashtëligjshëm lojërat e fatit në Kosovë?
Kjo ndalesë u ndërmor nga Qeveria e atëhershme e Kosovës pas disa vrasjeve që ndodhën nëpër kazino dhe po atë vit u mbyllën rreth 400 lokale dhe shumica nga to merreshin me baste sportive.
Më 2024, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se megjithatë, bastet kanë vazhduar të organizohen online.