Policia e Kosovës arreston të dyshuarin për dhunimin e një të miture
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar të premten për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Dubravë të Istogut, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale "dhunimi".
Nikçi ka thënë se i dyshuari është kapur në flagrancë një ditë më parë dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Më pas, prokurori i shtetit pritet të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprën penale "dhunimi”.
Nikçi nuk ka dhënë më shumë hollësi për rastin, por në mediat lokale të Kosovës është raportuar se burri i arrestuar është në të 50-at ndërsa e mitura është 12-vjeçare.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulme tjera seksuale.