Irani thotë se eksportet e naftës po vazhdojnë pas sulmeve në Harg dhe zjarrit në një port nafte në Emirate
Sulme me dronë dhe raketa goditën shënjestrat në Bagdad dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe të shtunën, ndërsa lufta mes Iranit dhe koalicionit SHBA-Izrael po vazhdon të përhapë tensione në gjithë Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Teherani tha se eksportet e naftës nga terminali kryesor në ishullin Harg po vazhdojnë pavarësisht sulmeve amerikane atje.
Një dron goditi kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad në mëngjesin herët të shtunën, sipas zyrtarëve të sigurisë në Irak. Në të njëjtën kohë, tym u pa duke u ngritur nga porti emiratas i Fuxhajra, pasi mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr pranë objekteve energjetike.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se eksportet e naftës së papërpunuar nga ishulli Harg - terminali kryesor i naftës së Iranit - po vazhdojnë rregullisht, pavarësisht sulmeve ajrore të SHBA.
Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA citoi një zyrtar të lartë duke thënë se eksportet e naftës po vazhdojnë pa ndërprerje nga ky terminal strategjik në ishull, me gjithë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se forcat amerikane kishin “shkatërruar plotësisht” objektivat ushtarake iraniane atje.
Sulmi ndaj ishullit Harg shënon një zhvillim të madh në konfliktin që filloi më 28 shkurt, pas sulmeve të gjera SHBA-Izrael kundër objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane.
Trump deklaroi në platformën Truth Social se forcat amerikane kishin kryer “një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme”, duke goditur instalime ushtarake në ishull, ndërsa shmangën terminalet jetike të eksportit të naftës.
Komanda Qendrore e SHBA-së më vonë tha se forcat e saj kishin goditur më shumë se 90 objektiva ushtarake iraniane në ishullin Harg, duke ruajtur njëkohësisht infrastrukturën e naftës.
Ishulli Harg përpunon rreth 90 për qind të eksporteve të naftës së papërpunuar të Iranit, duke e bërë atë një nga objektet energjetike më strategjike dhe më të ndjeshme në rajon.
Trump paralajmëroi se SHBA-ja nuk do të vetëpërmbahet më, nëse Irani ndërhyn në transportin detar përmes Ngushticës së afërt të Hormuzit. Ai gjithashtu tha se marina amerikane do të fillojë së shpejti të shoqërojë anijet që kalojnë nëpër këtë ngushticë.
Kjo rrugë e ngushtë ujore zakonisht transporton rreth një të pestën e furnizimeve botërore të naftës me rrugë detare, por trafiku i cisternave është ndalur pothuajse tërësisht që nga shpërthimi i konfliktit.
Sulme në gjithë Lindjen e MesmePavarësisht përballjes me fuqinë ushtarake më të madhe të SHBA-së dhe Izraelit, Irani ka vazhduar sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë në gjithë Lindjen e Mesme, duke synuar objekte energjetike dhe instalime ushtarake, sipas zyrtarëve rajonalë.
Tym u pa duke u ngritur nga porti Fuxhajras më 14 mars pasi mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr pranë instalimeve energjetike.
Autoritetet thanë se ekipet e mbrojtjes civile po punonin për të vënë nën kontroll zjarrin.
Disa operacione të ngarkimit të naftës në port, një nga qendrat më të mëdha të furnizimit me karburant për anijet jashtë Ngushticës së Hormuzit, u pezulluan pas incidentit.
Ushtria iraniane kishte paralajmëruar më herët banorët në Emiratet e Bashkuara Arabe që të qëndronin larg zonave afër portit, duke thënë se ato mund të bëhen shenjestër.
Që nga fillimi i luftës, sulmet iraniane kanë goditur instalime energjetike në gjithë Gjirin Persik, përfshirë në Arabinë Saudite, Katar, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Hamasi bën thirrje për përmbajtjeNdërkohë, lëvizja islamiste palestineze Hamas bëri një thirrje të rrallë duke i kërkuar Iranit të mos i sulmojë shtetet fqinje të Gjirit, ndërsa mbështeti atë që e quajti të drejtën e Teheranit për t’u mbrojtur kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
“Derisa konfirmojmë të drejtën e Republikës Islamike të Iranit për t’iu përgjigjur këtij agresioni me të gjitha mjetet e mundshme në përputhje me normat dhe ligjet ndërkombëtare, lëvizja u bën thirrje vëllezërve në Iran të shmangin shënjestrimin e vendeve fqinje”, tha Hamas në një deklaratë.
Hamasi - i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian - gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të “punojë për ndalimin” e menjëhershëm të luftës në vazhdim.
Sulme raketore në gjithë rajoninKonflikti vazhdon të përhapet përtej kufijve kombëtarë.
Një dron goditi kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad të shtunën, sipas zyrtarëve të sigurisë irakiane, duke shënuar sulmin e dytë ndaj misionit diplomatik që nga fillimi i luftës.
Presidenti izraelit kërkon që Irani “të goditet fort” teksa sulmet vazhdojnë në të dyja anët
Zyrtarët e sigurisë thanë se droni goditi një platformë helikopterësh brenda kompleksit të fortifikuar të Ambasadës, megjithëse nuk ka raportime të menjëhershme për viktima.
Shpërthime tronditën edhe disa zona të tjera të Bagdadit, me sulme që synuan grupin proiranian Kataeb Hezbollah, duke vrarë dy anëtarë, përfshirë një “figurë kyç”, sipas burimeve të sigurisë.
Nuk është e qartë se kush i kreu këto sulme.
Katari tha të shtunën se kishte interceptuar dy raketa iraniane mbi kryeqytetin Doha, pasi shpërthime u dëgjuan në qytet.
Turqia njoftoi se mbrojtja e NATO-s kishte interceptuar një raketë balistike të lëshuar nga Irani që kishte hyrë përkohësisht në hapësirën ajrore turke.
Arabia Saudite raportoi se kishte rrëzuar dhjetëra dronë të lëshuar drejt mbretërisë më 13 mars.