Wilson: Dialogu Kosovë-Serbi në krye të agjendës
Në një postim në Twitter, Wilson tha se "dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit është në krye të agjendës, por edhe reformat e nevojshme për një të ardhme më të ndritur për rininë e Kosovës".
Wilson, i shoqëruar nga një delegacion nga Senati dhe Kongresi amerikan, u prit fillimisht nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një komunikatë për media të Zyrës së Presidentit thuhet se në këtë takim u bisedua, mes tjerash, për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe “domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese”.
“Mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe u hap rrugë elementeve anti-evropiane”, tha Thaçi.
Wilson, në anën tjetër, e rikonfirmoi, siç tha, angazhimin e Këshillit të Atlantikut për Kosovën.
Ai u prit në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Kosova është e gatshme për "një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues".
Kosova është në proces të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Dialogu aktualisht ka ngecur si pasojë e një takse që Kosova u ka vënë mallrave të importuara nga Serbia.
Megjithatë, të dyja palët janë zotuar se do të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila është edhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian.