Diplomatët kinezë në SHBA duhet të regjistrojnë takimet e tyre me zyrtarë amerikanë
Vizitat zyrtare në “institucione të edukimit dhe ato kërkimore” sikurse shkollat dhe universitetet duhet po ashtu të jenë të regjistruara, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.
Kina ka thënë se SHBA-ja është duke thyer rregullat ndërkombëtare, mirëpo autoritetet amerikane kanë thënë se diplomatët e tyre përballen me kufizime të njëjta në Kinë.
Sipas masës së re, diplomatët kinezë nuk duhet të kërkojnë leje për takime, mirëpo u kërkohet të njoftojnë paraprakisht për zhvillimin e tyre.
Ndërkohë Ambasada Kineze në SHBA, i ka cilësuar këto rregulla “në kundërshtim me Konventën e Vjenës”.
“Kina nuk ka kërkesa të ngjashme për diplomatët amerikanë dhe zyrat e konsullatës në Kinë”, është thënë në deklaratë.
“Sa i përket reciprocitetit, SHBA-ja ka numër shumë më të madh të personelit diplomatik në Kinë, sesa që ka Kina në SHBA”.
Përndryshe, Konventa e Vjenës është një marrëveshje që përcakton rregullat e marrëdhënieve diplomatike.
Sipas saj, diplomatëve “u garantohet” liria e lëvizjes dhe udhëtimit në vendin nikoqir.
Kjo masë e re e SHBA-së është vënë në kohën e rritjes së tensioneve në mes të të dyja shteteve.
Si SHBA-ja, ashtu edhe Kina kanë vënë tarifa në mallrat e njëra-tjetrës në vlerë të miliarda dollarëve në vitin e kaluar.
Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se rregullat e reja nuk lidhen “drejtpërdrejt” me luftën tregtare me Kinën.
Presidenti amerikan, Donald Trump pati përmendur “praktikat e padrejta tregtare” të Kinës, kur ka vendosur që t’iu vë tarifa mallrave të këtij shteti.