Rënia e nivelit të ujit rrit shqetësimet për cilësinë
Liqeni i Batllavës që gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, ka nisur të shterojë si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike. Niveli i ujit, ka rënë në minus 10 metra nga kuota normale.
Krahas shqetësimeve për rënien e nivelit të ujit, një nga problemet më të mëdha për këtë liqe, është ndotja e tij nga ujërat e zeza.
Banorët e kësaj ana, për shkak të mungesës së rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për filtrimin e ujit, ujërat e zeza i lëshojnë për vite me radhë në këtë liqe.
Përfaqësuesi i banorëve në fshatin Orllan, Nuhi Selimi thotë për Radion Evropa e Lirë se si pasojë e mungesës së rrjetit të kanalizimit, banorët janë të detyruar që ujërat e zeza të hedhin në liqe.
"Është mëse e vërtetë që vetë qytetarët, po të pyeten tregojnë, se ata kanalizimin krejt në liqe e qesin se nuk ka ku tjetër. Ata e largojnë prej shtëpisë... e kanë bërë një rrjet vetë privat sa kanë mundur, e ai diku duhet të derdhet. Kutë derdhet pos në pellg të liqenit", tha Selimi.
Në këtë rajon para dy vjetësh ka nisur të ndërtohet një impiant për përpunimin e ujërave të zeza, por ende nuk është përfunduar. Banorët thonë se edhe pas ndërtimit të tij, nuk është planifikuar të lidhen në rrjetin e kanalizimit.
"Ujërat e zeza, diku 80 për qind të familjeve, shtëpive, krejt do t'i derdhin prapë në liqe se nuk ka ku të derdhen, duke përfshirë edhe shkollën. Nuk ka ku të derdhen edhe ato shtëpitë asnjë nuk ka hyrë në projekt, që është shqetësim", tha Selimi.
Nazmi Zeka, banor i fshatit Orllan thotë se autoritetet nuk iu kanë bërë zgjidhje për ujërat e zeza.
"Diku derdhen [ujërat e zeza] kurrfarë vendi të posaçëm nuk ka për të bërë një zgjidhje. Disa kërkesa janë bërë, duhet të merren parasysh ato punë, edhe uji i pijshëm edhe puna e ujërave të zeza", thotë ai.
Mbi 600 mijë banorë, sipas autoriteteve, furnizohem me ujë nga Liqeni i Batllavës dhe Badovcit.
Ilir Abdullahu, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thotë se shumica e qytetarëve të Prishtinës dhe komunave të tjera përreth, janë përdorues të ujit të pijshëm dhe të gjithë, siç thotë ai, duhet të jenë përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e burimeve ujore, në veçanti të liqeneve akumuluese sipërfaqësore, siç janë Batllava e Badovci.
Ai thotë se në krahasim me Liqenin e Badovcit, ai i Batllavës është më i ndotur.
"Ujërat e zeza kanë pasur një filtrim në tokë, do të thotë nuk ka pasur kanalizime që do të shkarkoheshin në pika të koncentruar që do të ishte ndotja e madhe edhe kur ja shtojmë kësaj që Liqeni i Batllavës ka një sipërfaqe të madhe, do të thotë është një ujëmbledhës diku 34 milionë metra kub ujë, kjo nuk ka mundur të ketë edhe ndikim në kualitetin e ujit të pijes. Që të hiqen (ujërat e zeza), është i planifikuar rrjeti i ujërave të zeza dhe impianti", tha Abdullahu.
Edhe në Liqenin e Badovcit ka rënë niveli i ujit. Pranë këtij liqeni shihet papastërti e madhe. Veç kësaj, kompani ndërtimore kishin planifikuar që të ndërtojnë pranë këtij liqeni një lagje luksoze.
Planet e tilla po kundërshtohen ashpër nga qytetarët e Prishtinës dhe banorët që jetojnë në fshatrat pranë liqenit.
Pak kohë pasi janë bërë të ditura planet për ndërtimin e lagjes, shumë qytetarë i kanë kundërshtuar ndërtimet në atë zonë dhe kanë nisur nënshkrimin e një peticioni online, duke iu kërkuar autoriteteve llogari pse fillimisht ishin pajtuar me kushtet e ndërtimit.
Ardian Ndrecaj, nga Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, thotë se qëllimi i grupit nuk është kundërshtimi i projekteve, por vendi dhe dyshimet për ndotjen e liqenit dhe ambientit në përgjithësi.
"Kosova është një nga vendet që është në rrezikshmëri për ujë. Është një vend me më së paku ujë për kokë banori. Megjithëkëtë, ata vazhdojnë që të planifikojnë ndërtime në brigjet e liqenit prej nga siguron ujin e pijes një e treta e qytetit. Po ashtu, është me rendësi se nuk ka transparencë për atë se në bazë të cilit ligj po ndërtohet aty, në bazë të cilës rregullore po ndërtohet aty. Ne kërkojmë nga institucionet, nga komuna, nga ministria (e Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor) që të na sqarojnë në bazë të cilit ligj janë lëshuar kushtet e ndërtimit", tha Ndrecaj.
Fejzulla Krasniqi, banor i fshatit Zllatar të Komunës së Prishtinës, i cili gjendet afër Liqenit të Badovcit, mendon se në asnjë rast nuk do të duhej lejuar ndërtimet në afërsi të këtij liqeni.
"Katastrofë është kjo për rininë, për shtetin tonë. Ka vende diku tjetër për të ndërtuar, në natyrë e jo aty buzë liqenit, aty me prish ujin. Ne shpresën aty e kemi, të tjera vende për furnizim me ujë nuk kemi. Unë nuk di çfarë logjike, po mendoj kanë këta njerëz aty. Të gjitha gjërat aty, mbeturinat, ujërat e zeza, kah depërtojnë? Ujërat e zeza shkojnë në liqen. Ujërat e zeza edhe nga Mramori vijnë aty, nga Slivova, unë nuk di se si janë duke u menduar këto gjëra", tha Krasniqi.
*Video: Qytetarët, kundër ndërtimeve në Badovc
Zyrtarë të institucioneve, në anën tjetër, kanë mohuar të kenë dhënë leje për projektin e ndërtimit të lagjes, sipas asaj që kishte prezantuar kompania KAWA.
Por, të dy nivelet qeverisëse, ai lokal dhe qendror, deri tash nuk kanë arritur ta qartësojnë nëse kompania KAWA ka marrë pëlqim nga komuna për kushtet ndërtimore apo pëlqim mjedisor nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Komuna e Prishtinës, i ka dhënë kompanisë KAWA, vendim për kushtet e ndërtimit, por jo lejen për ndërtim.
"Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vjet. Në Kushtet ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë", ka sqaruar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se as kompanitë dhe as pronari i pronës, nuk kanë aplikuar në MMPH për asnjë leje.
“Bazuar në njoftimet e bëra nga ana e një grupi të qytetarëve si dhe ngritja e shqetësimit të mediave lidhur me iniciativën rreth një projekti i cili synon të ndërtohet afër Liqenit të Badovcit nga investitori KAWA Group, 4M Group si dhe një pronari privat të tokës dhe që në vazhdimësi është duke u potencuar se MMPH ka dhënë leje për një projekt të tillë, ju informoj se MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshojë leje ndërtimore. Gjithashtu, në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me pëlqim mjedisor nga MMPH-ja”, thuhet në publikimin e ministrit.
Në kompaninë KAWA thonë se për projektin e planifikuar ka kohë që është punuar dhe po punohet ende. Sipas përfaqësuesve të kompanisë në fjalë, të gjitha kushtet për ndërtim janë plotësuar.
Ata thonë se ndërtuesi e ka specifikuar gjithçka në plan dhe se pretendimet se mund të bëhen ndotje të ambientit dhe ujit në liqe, janë të pa bazuar. Uran Haxha, zëdhënës i kompanisë, thotë se derisa planet janë të mirëmenduara dhe ndërtimin e lejon ligji, punët do të vazhdojnë.
"Përderisa neve na lejon ligji dhe përderisa ne kemi një projekt i cili ka të parashikuar çdo gjë që të mos e ndotë ujin, që mos ta prishë mjedisin, po të jetojë bashkë më natyrën dhe ta rregullojë në fakt atë zonë edhe me shtigjet ecjes edhe me çdo ndihmë tjetër, sikur që është në dosjet tona, ne kemi planifikuar edhe mirëmbajtjen e bregut dhe liqenit, si dhe të zonës përreth si pjesë e mirëmbajtjes së lagjes. Gjithçka vullnetarisht ne natyrisht do të vazhdojmë se nuk jemi duke bërë asgjë të kundërligjshme", tha Haxha.
Agron Bektashi, ekspert i mjedisit, konsideron se Kosova në dekadën e fundit është ballafaquar dhe po ballafaqohet edhe më tej me probleme të rënda mjedisore.
Ai thotë se në veçanti Kosova është duke u ballafaquar me problemin e ujit, si në aspektin e sasisë, po ashtu edhe të cilësisë.
"Çështja e ujërave jo që është shqetësuese, po është gati alarmante sepse me siguri ju e keni vizituar edhe Liqenin e Batllavës ku është fshati Orllan, i cili të gjitha ujërat e zeza derdhen në liqe".
"Liqenet artificial e kanë një destinim kryesor - furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm dhe si të tillë në zonat me qindra metra nuk guxohet të ndërtohet asgjë, sepse ka sasi të ndotjes edhe gati me filtrim fabrikat e ujit nuk mund ta pastrojnë. Do të thotë ka derdhje të kimikateve të ndryshme, të toksinave të ndryshme, e ndoshta edhe fabrika për përpunimin e ujit nuk do të jetë në gjendje t’i trajtojë deri në pikën e fundit", tha Bektashi.
Bektashi benë thirrje si për nivelin lokal dhe atë qendror që të merren me shumë me çështjen e ambientit dhe në veçanti me çështjen e ujërave.
Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë, dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.