Grenell fton Prishtinën dhe Beogradin ta finalizojnë marrëveshjen për hekurudhat
Kështu u bë e ditur pas takimit të zhvilluar në Beograd, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadorit amerikan, Richard Grenell.
Në një konferencë për media, presidenti serb Vuçiq tha se marrëveshja do të jetë e ngjashme me atë të linjës ajrore Prishtinë-Beograd, e cila u arrit në fillim të kësaj jave me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.
“Bisedova për lidhjen e mëtejshme infrastrukturore midis Prishtinës dhe Beogradit. Kemi biseduar edhe për vendosjen e linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Lidhur me këtë, deklarova që është e rëndësisë së madhe që taksa të hiqet sepse do të ishte e pakuptimtë të kemi qarkullim hekurudhor pa mallra”, tha Vuçiq.
Edhe ambasadori Grenell konfirmoi se tashmë ekziston një marrëveshje në parim lidhur me këtë çështje.
"Ne kemi një marrëveshje në parim dhe do të takohemi në Berlin të hënën. Unë gjithashtu e diskutova këtë çështje me presidentin (e Kosovës, Hashim) Thaçi dhe me liderët që po përpiqen të formojnë Qeverinë e Kosovës si dhe me presidentin Vuçiq. Tani le të ulemi dhe të dalim me një marrëveshje për hekurudhat", tha Grenell.
Ambasadori Grenell po e viziton Beogradin pas qëndrimit të Prishtinë, ku kërkoi nga autoritetet e Kosovës të heqin taksën ndaj mallrave serbe, ndërkaq nga Beogradi të mos vazhdojë me fushatën kundër njohjeve të Kosovës.
Të njëjtën kërkesë ai e përsëriti edhe në Beograd, derisa ftoi të dyja palët të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Unë jam këtu për të shtyrë të dy palët për bashkëpunim ekonomik, ua lë politikën juve”, tha Grenell.
Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ambasadori Grenell tha më 23 janar në Beograd se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjes.
“Po ndjej një energji të mirë nga të dy anët (Kosovë e Serbi), por presidenti (i SHBA-së) Donald Trump nuk do të me lejojë të punojë gjatë në këtë çështje nëse nuk ka ndonjë përparim”, tha ambasadori Richard Grenell.