Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës
"Ky shkarkim është bërë në përputhje me Ligjin për Ndërmjarret Publike", tha ministrja Hajdari duke shtuar se ndërmarrja kishte degarduar gjatë viteve të fundit.
Trendi i humbjeve financiare në këtë kompani publike, sipas ministres Hajdari, ka vazhduar nga viti në vit.
"Posta e Kosovës kishte marrur një opinion të keq nga Zyra Kombëtare e Auditimit", tha Hajdari.
Ajo mbrojti vendimin e Bordit të Përkohshëm, për të cilin tha se është marrë në bazë të ligjit dhe për të ndaluar keqmenaxhimin e parasë publike.
"Vetëm në vitin 2018 humbjet kanë qenë 2 milionë e 333 mijë euro", tha Hajdari.
Ndërkaq, drejtori i Bordit të Përkohshëm, Mentor Arifaj, tha se bazuar në raportet e auditimit "kontrolli i menaxhimit financiar nuk është në nivelin e duhur".
Më 2 prill, qeveria në detyrë e Kosovës kishte shkarkuar bordin e Postës së Kosovës dhe e kishte emëruar një bord të përkohshëm.
Qeveria e kishte arsyetuar shkarkimin me faktin se "Bordi i Postës së Kosovës ka shkelur detyrat finaciare".