Kurti thotë se është i gatshëm për rifillimin e dialogut me Serbinë
Teksa ka vizituar prodhuesit vendorë në Suharekë, Kurti ka thënë të enjten se është në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe se ai është duke përgatitur fillimin e dialogut.
“Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur, i organizuar mirë. Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta, ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Sa i përket kohës se kur do të mund të rifillojë ky dialog, Kurti ka thënë se kjo gjë është në dorën e Brukselit.
“Pra varet prej Brukselit, kalendari i dialogut të ardhshëm dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar, Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, ka thënë Kurti, kur është pyetur se kush do ta udhëheqë dialogun.
Aktualisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar prej kur autoritetet e Kosovës patën vënë 100 për qind taksë në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Qeveria tashmë në detyrë ka hequr këtë masë, duke e zëvendësuar me reciprocitet për mallrat serbe, por jo edhe ato boshnjake.
Kjo masë është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.