Rreth 400 pacientë të infektuar me koronavirus po trajtohen në spitalet e Kosovës
Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 13 pacientë janë në respiratorë, 27 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 316 të tjerë janë në oksigjenoterapi.
Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.
Këtij vendi të hënën i janë shtuar 99 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 406 mostrave.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar në 24 orët e fundit 13 persona të vdekur me koronavirus, duke e çuar numrin total të viktimave në 480.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPIK) ka raportuar për 12,547 të infektuar me këtë virus.
Deri më tani 8,657 pacientë janë shëruar, derisa aktualisht janë 3,410 raste aktive.