Një i vrarë dhe tre të plagosur në Elbasan
Një person është vrarë dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Njëri nga të plagosurit është një pjesëtare e Policisë së Shqipërisë.
Mësohet se personi i vrarë është Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, ish-zyrtar i Lëvizjes Socialiste në Elbasan.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20 në lagjen “5 maji”, pas një përplasjeje me armë mes të paktën 6 personave, pranë zyrave të Partisë Demokratike në këtë qytet.
Sipas raportimeve paraprake, vrasësi i Xhuvanit është Arbër Papleka, i cili mësohet se është edhe truproja i Gazmend Bardhit, koordinatorit të Partisë Demokratike në Elbasan, por edhe ish-pjesëtar i forcave speciale të policisë RENEA.
Ai është arrestuar nga Policia e Shqipërisë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për ngjarjen e sotme, ku tha për mediat se qarku i Elbasanit është një nga rajonet më problematike në Shqipëri.
“Ajo që është shqetësues në Elbasan është se shumica e krimeve zgjedhore deri tani që janë denoncuar i takojnë qarkut të Elbasanit”, tha Meta.
Ai u bëri thirrje institucioneve për zbatimin e ligjit të jenë në krye të detyrës dhe të shkëpusin çdo lidhje apo preferencë partiake.
“Organet ligj-zbatuese të shkëpusin çdo preferencë partiake dhe padyshim do mbajnë përgjegjësi për ngjarjet e rënda që po regjistrohen në vend, sepse vendi nuk ka nevojë për viktima, por mbi të gjitha vendi nuk ka nevojë për asnjë lloj cenimi të standardeve zgjedhore. Me qetësi dhe dashuri të nisen [qytetarët] drejt 25 prillit”, theksoi ai.