SHBA-ja kundër pranisë fizike në Asamblenë e OKB-së
Misioni amerikan u ka dërguar 192 anëtarëve të tjerë të OKB-së një letër në të cilën gjithashtu bëhet thirrje që të gjitha takimet e tjera të organizuara nga OKB-ja dhe ngjarjet përcjellëse të jenë në formën virtuale.
"Krerët e delegacioneve duhet të konsiderojnë dërgimin e deklaratave të tyre në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së me video. Nëse delegacionet zgjedhin të udhëtojnë në Nju Jork ne kërkojmë që të sjellin numrin minimal të udhëtarëve të nevojshëm", tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, në letrën të cilën u dërgoi homologëve të saj.
Agjencitë Reuters dhe AP e kanë parë përmbajtjen e letrës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në kuadër të Asamblesë së sivjetme po planifikon të organizojë takime të nivelit të lartë për ndryshimet klimatike, energjinë, sistemet ushqimore dhe 20 vjetorin e Konferencës Botërore të OKB-së Kundër Racizmit.
Por, SHBA-ja vlerëson se takimet përcjellëse që kërkojnë praninë e shumë personave e rrezikojnë pa nevojë komunitetin në Nju Jork dhe vizitorët tjerë.
Për shkak të pandemisë, në takimin e vitit të kaluar, udhëheqësit dërguan video të regjistruara paraprakisht ose deklaratat e tyre u lexuan nga ambasadorët përkatës në OKB.
Këtë vit, Shtetet e Bashkuara thanë se pandemia COVID-19 "vazhdon të përbëjë një rrezik të rëndësishëm shëndetësor në të gjithë botën".
Rastet e shtrimeve në spital dhe të të infektuarve janë rritur në SHBA për shkak të variantit Delta të koronavirusit, i cili është më ngjitës.