Të paktën 58 të vdekur nga përleshjet në një burg në Ekuador
Burgu, që gjendet në qytetin jugor të Guajakilit, është burgu i njëjtë ku u vranë 119 të burgosur në muajin shtator, kur u zhvilluan përleshjet më vdekjeprurëse në burgjet e Ekuadorit.
Qeveria ka thënë se përleshjet kanë ndodhur në mes bandave të trafikut të drogës, që janë përleshur për kontrollin e të burgosurve.
Incidenti i fundit ka ndodhur për shkak se lideri i një prej bandave është liruar nga burgu, tha guvernatori i provincës ku ndodhet burgu, Pablo Arosemena.
“Konteksti i kësaj situate është se kur nuk ishte lideri i bandës që ka kontrollin e një pavijoni të burgut, pasi ai u lirua disa ditë më parë. Të burgosurit që ishin me grupe të tjera, dëshironin që ta merrnin pozitën e tij dhe më pas ndodhi incidenti”, tha ai në një konferencë për media.
Ka pasur dhunë të madhe në burgjet e Ekuadorit, shtet në të cilin janë rreth 39,000 persona të burgosur. Në muajin shkurt, si pasojë e dhunës në burgje u vranë 79 të burgosur, ndërkaq 22 të tjerë në një incident tjetër në muajin korrik.