SHBA shprehet e gatshme për të diskutuar me Rusinë për trupat afër Ukrainës
Sullivan ka biseduar përmes telefonit me Ushakov, në kohën e rritjes së tensioneve në Evropë për shkak të pranisë së rreth 100,000 trupave ruse afër kufirit me Ukrainën.
Rusia e mohon se kjo prani flet për pushtim potencial të Ukrainës, mirëpo e pranon se forcimi i marrëdhënieve mes Ukrainës dhe NATO-s, shihet me shqetësim.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë se Sullivan “e ka bërë të qartë se secili dialog duhet të bazohet në reciprocitet dhe duhet të adresojë shqetësimet tona për veprimet e Rusisë, dhe se duhet të zhvillohet në koordinim të plotë me aleatët tanë evropianë”.
Moska ka prezantuar javën e kaluar një listë të temave që dëshiron të negociojë, përfshirë premtimin se nuk do të ketë zgjerim të NATO-s në lindje, ashtu sikurse kufizim të aktivitetit ushtarak të aleancës veri-atlantike në Evropën Lindore, përfshirë bashkëpunimin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Psaki e ka përsëritur pozicionin amerikan se kombet sovrane kanë të drejtë të zgjedhin aleancat e tyre dhe se marrëdhënia e NATO-s në Ukrainën “është çështje vetëm e Ukrainës dhe 30 vendeve tjera anëtare”.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Ushakov i ka thënë Sullivanit se Moska është e gatshme që të nisë bisedimet për garanci në siguri dhe se Rusia do të përfaqësohej në këto bisedime nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.
Ryabkov ka thënë se Moska ende nuk ka marrë përgjigje nga SHBA-ja.