Kremlini: SHBA i ka shpallur luftë ekonomike Rusisë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia ka qenë dhe do të mbetet furnizuese e besueshme e energjisë.
Peskov ka thënë se Perëndimi e ka bërë situatën shumë të vështirë dhe e ka detyruar Rusinë të mendojë seriozisht.
Biden ka thënë më 8 mars se ndalesa amerikane nënkupton që “populli amerikan do të përballë me një tjetër goditje" udhëheqësinë e presidenti rus, Vladimir Putinit.
“Ne nuk do të subvencionojmë luftën e Putinit”, ka shtuar Biden, duke iu referuar presidentit rus.
Biden ka thënë se vendimi për të ndaluar importet e naftës është marrë “në konsultime të ngushta” me aleatët.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan ka thënë se pret rritje të çmimeve pas marrjes së këtij vendimi, mirëpo u ka bërë thirrje kompanive të naftës të mos përfshihen në rritje “të mëdha” të çmimeve.
“Do të ketë kosto edhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Biden, mirëpo, sipas tij, ky është çmimi që duhet paguar “për të mbrojtur lirinë”.
Biden ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin “duket i vendosur për të vazhduar rrugën e tij vrastare, pavarësisht kostos”.
Megjithatë, Biden ka thënë se Ukraina “nuk do të jetë kurrë fitore për Putinin”.
Edhe Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do të shmangë gradualisht varësinë ndaj naftës ruse.
Komisioni Evropian ka njoftuar më 8 mars se planifikon të kufizojë importet e gazit rus këtë vit, ndërkohë që do të rrisë në mënyrë të përshpejtuar masat e burimeve të rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.