K.Veriore në izolim të ashpër pas rasteve të para zyrtare me COVID-19
Media shtetërore ka raportuar për një shpërthim të variantit Omicron në Phenian, mirëpo nuk dihet numri i saktë i infektimeve.
Sipas saj, lideri verikorean, Kim Jong-un, është zotuar për të zhdukur pandeminë, të cilën e ka quajtur “emergjencë të rëndë kombëtare”.
Mirëpo vëzhguesit besojnë se koronavirusi ka qenë moti prezent në këtë shtet.
Ata besojnë se ky shtet me popullsi prej 25 milionë banorësh është i cenueshëm, pasi Koreja Veriore nuk ka dhënë vaksina kundër koronavirusit dhe ka refuzuar furnizimet me vaksina nga prodhuesit AstraZeneca dhe Sinovac.
Mënyra e vetme e Koresë Veriore për të luftuar koronavirusin ka qenë përmes mbylljes së kufijve të jashtëm prej janarit të vitit 2020.
Autoritetet verikoreane kanë vënë edhe ndalesa në importimin e disa produkteve, çka ka ndikuar në mungesa në ushqim dhe dobësim të ekonomisë.