Protestuesit në Shri Lanka pritet t’i japin fund pushtimit të ndërtesave zyrtare
![Protestuesit në Shri Lanka pritet t’i japin fund pushtimit të ndërtesave zyrtare](https://gdb.rferl.org/08a40000-0a00-0242-4d85-08da64a79c54_w800_h450.jpg)
Protestuesit antiqeveritar në Shri Lankë thanë të enjten se po i jepnin fund pushtimit të ndërtesave zyrtare, pasi u zotuan se do të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për të rrëzuar presidentin dhe kryeministrin përballë një krize të rëndë ekonomike.
Protestuesit pushtuan pallatin e presidentit Gotabaya Rajapaksa në fundjavë, duke e detyruar atë të ikte në Maldive të mërkurën, kur aktivistët sulmuan gjithashtu zyrën e kryeministrit, Ranil Wickremesinghe.
Rajapaksa, 73 vjeç, fluturoi të enjten për në Singapor nga Maldive, por ende nuk ka asnjë njoftim për dorëheqjen e tij, pavarësisht premtimit të mëparshëm që kjo do të ndodhë të mërkurën.
Ai pritet të qëndrojë në aty për disa kohë, sipas burimeve të sigurisë nga Shri Lanka, përpara se të transferohet potencialisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Më herët, kryeministri i Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe, i ka thënë ushtrisë që të bëjë "çfarëdo që është e nevojshme për të rivendosur rendin" pasi protestuesit sulmuan zyrën e tij të mërkurën.
Ai është emëruar president në detyrë - nga presidenti Gotabaya Rajapaksa, i cili është arratisur nga vendi.
Por, vendimi për ta lënë atë në krye shkaktoi protesta të mëtejshme, duke kërkuar që edhe kryeministri të largohej.
Shri Lanka po vuan nga kriza e saj më e keqe ekonomike në dekada.
Në një fjalim televiziv, Wickremesinghe u bëri thirrje protestuesve të largohen nga zyra e tij dhe ndërtesat e tjera shtetërore dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.
"Ne nuk mund ta grisim kushtetutën tonë. Nuk mund të lejojmë që fashistët të marrin pushtetin. Ne duhet t'i japim fund këtij kërcënimi fashist ndaj demokracisë," tha ai.
Shri Lanka ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të mërkurën, pasi presidenti u largua jashtë shtetit për t'i shpëtuar protestave antiqeveritare, pasi mijëra njerëz dolën në rrugë, përsëri të zemëruar që ai ende nuk ishte dorëzuar.