Kuvendi i Shqipërisë shqyrton rezolutën për raportin e Këshillit të Evropës
Draft-rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, e cila pritet të votohet nga deputetët e Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë, kërkon të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson si “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.
Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “të realizojë një raport vijues dhe rishikim të Rezolutës 1782” e cila u dha hov pretendimeve për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës së 1998-1999 në Kosovë.
Raporti, i hartuar nga Dick Marty, një politikan zviceran dhe një ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2010, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride para të cilës ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen nën akuza për krime të luftës ndaj civilëve serbë dhe rivalëve politikë.
Raporti i Martyt, i cili u miratua me një rezolutë nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, përmban pretendime se ish-krerët e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës. Akuzat e ngritura në raportin e Martyt janë hetuar nga një prokuror amerikan dhe gjetjet e tij nuk kanë përfshirë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve me qenie njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020 kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat.
Megjithatë, pretendimet e Martyt nuk janë hedhur poshtë nga Këshilli i Evropës, ndërkohë që së fundmi Marty është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane pas zbulimit se strukturat serbe të sigurisë po planifikonin vrasjen e tij.
Draft-rezoluta po diskutohet nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që deputetët demokratë po kërkojnë që rezoluta të dënojë agresionin e Serbisë në Kosovë.