Policia arreston dy gra për ushtrim të dhunës ndaj një të moshuare
Policia tha se ka identifikuar dy gra të dyshuara, pasi në rrjetet sociale më 2 nëntor qarkulloi një video-incizim, ku shihej një punëtore në një shtëpi të pleqve në Pejë, duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje të moshuar.
“Të dyshuarat janë duke u intervistuar nga hetuesit e stacionit policor në Pejë”, u tha në njoftim.
Qendra për përkujdesjen e të moshuarve "Orenda" në Pejë tha se ka suspenduar nga puna katër infermiere, të përfshira në këtë rast.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se menaxhmenti i shtëpisë së pleqve duhet të japë llogari për keqtrajtimin e gruas së moshuar. Ajo kërkoi nga qytetarët që të raportojnë tek autoritetet në rast se dyshojnë për keqtrajtim të familjarëve të tyre që gjenden në shtëpi të pleqve.
“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen”, shkroi ajo në Facebook.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, kërkoi që të përfshirët në këtë rast të dalin para drejtësisë.
“Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje”, shkroi ai në Facebook.
Sipas Sveçlës, hetimet për këtë rast po vazhdojnë.