Dhjetë deputetë të rinj serbë betohen në Kuvendin e Kosovës
Dhjetë deputetë, nëntë prej tyre nga Lista Serbe, kanë dhënë betimin sot në Kuvendin e Kosovës.
Këta deputetë po zëvendësojnë mandatet e dhjetë deputetëve paraprakë, të gjithë nga Lista Serbe, që dhanë dorëheqje ditë më parë.
Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq dhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Dorëheqjet e deputetëve si dhe shumë zyrtarëve tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.
Deri më 7 nëntor, dhjetë deputetët përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë ishin: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq dhe Jasmina Deçiq, Dragana Antonijeviq.
Këta deputetë ishin të gjithë nga Lista Serbe, që konsiderohet partia më të madhe e serbëve të Kosovës.
Ende nuk është e qartë nëse deputetët e rinj të Listës Serbe do të mbajnë mandatet pas betimit apo do të dorëhiqen si kolegët e tyre paraprakisht.
Ndërkohë, dy subjektet politike nga radhët e komunitetit serb, Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Lidhja Demokratike Serbe (SDS), të cilat kanë garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, kanë thënë se parimisht janë të gatshme të zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe.
Aktualisht, qeveria e Kosovës është duke e zbatuar planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Nga 21 nëntori pritet të shqiptohen gjoba për të gjithë qytetarët që përdorin targa me akronime qytetesh si PR, KM e të tjera që Kosova i konsideron të jashtëligjshme.
Beogradi zyrtar insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare deri më tani ka insistuar se nuk heq dorë nga vendimi i saj.