Dënohen me nga dy vjet burgim të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Syla
Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka shpallur aktgjykim fajësues për tre të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla, duke i dënuar me nga dy vjet burgim. Ata janë dënuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Valon Syla ishte sulmuar në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020, pak pasi kishte dalë nga një studio televizive.
Ai pati thënë në llogarinë e tij në Facebook se është sulmuar për shkak të disa postimeve kritikuese për disa udhëheqës fetarë.
Të dënuarve L.D, K.H dhe O.H do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, prej datës 14 prill deri me datë 07 dhjetor 2023.
“Të akuzuarve u është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa obligohen që secili veç e veç të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës; në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 200 eurosh, ndërsa shumën prej njëqind 100 eurosh ta paguajnë për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, njoftoi gjykata.
Gjykata ka refuzuar kërkesën e Sylës për dëmshpërblim prej 30 mijë eurosh.
Pas vendimit, Syla ka reaguar në Facebook duke thënë se, "Kosova pra ka shpresë, kur secili prej nesh e kryen detyrën e vet dhe e ka përnjëmend. Pra, unë e kryejta timen, kolegët e mi gazetarë e kryen të vetën, policia reagoi dhe i kapi në afat rekord sulmuesit fanatikë, drejtësia po ashtu në fund krejt këtë mund e shpërbleu me drejtësi të merituar".
Në nëntor të këtij viti, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2022 regjistroi 33 raste, ku gazetarët ishin viktima të dhunës fizike, të sulmeve apo kërcënimeve ndërkaq në vitin 2021 u regjistruan 29 raste të tilla.